DURRËS, 10 dhjetor 2014 – Ndërsa gjimnazistët e “Naim Frashërit” në Durrës ishin të rezervuar për të treguar se kur ka qenë hera e parë e tyre e konsumimit të duhanit, për nxënësit e klasës së 9 në shkollën “Marie Kaçulini”, bashkëbisedimi me gazetarët e Lidhjes së Shëndetësisë ishte më i hapur, njofton kjo shoqatë e krijuar në vitin 2011 si një nismë e disa prej profesionisteve femra, me përvojë të gjatë në trajtimin e çështjeve sociale e sidomos të shëndetit, në mediet më kryesore në vend.
Në një nga klasat e shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini”, më e mira në Durrës e Shqipëri, u shfaq një dokumentar, që u ndoq me interes të veçantë nga adoleshentët, të cilët treguan se përshtypjen më të madhe e patën nga gazetari Marin Mema, dhe kjo për vetë faktin se ai kishte treguar një vullnet të madh për të lënë duhanin.
Por, gjatë bashkëbisedimit, të rinjtë nuk nguruan të tregojnë edhe përvojat e marrëdhëniet që kishim ne duhanin, pavarësisht se ishin ende në shkollë 9-vjeçare. Një prej nxënësve tregoi se prej një viti ishte konsumues i duhanit, sidomos në ato momente kur ai ishte me shoqërinë gjatë orëve të pasdites. Për të dhe shokët e tij, konsumimi i duhanit ishte kryer si një modë por edhe për t’u dukur më të rritur. Por, gjatë bisedës ata treguan edhe marrëdhënien që kishin me “lekun” duke treguar se një pjesë e tyre shpenzonin 2-5 mijë lekë në ditë për shkak të daljeve me shoqërinë. Sipas tyre, ishin prindërit ata që u jepnin këtë shumë lekësh, ndërkohë që sipas të rinjve ato ishin të mjaftueshme edhe për të blerë duhan.
Ndërkohë një prej vajzave tregoi se ka provuar vetëm një herë të konsumojë duhan në prani të tezes së saj, e cila ishte duhanpirëse. Por, pas atij momenti nxënësja e klasës së nëntë tregoi se nuk kishte konsumuar më duhan. Nga ana tjetër të rinjtë pohuan se shumë prej bashkëmoshatarëve të tyre, dhe sidomos vajzat e konsumonin duhanin për të tërhequr më shumë vëmendje dhe për tu dukur më të rritur.
Në fund nxënësit ngritën lart posterët “Shqipëria Jo Duhanit”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





