Durrës, 15 korrik 2014 – Tre ushtarë profesionistë kanë përgatitur dhe tregtuar mina me celular. Janë dashur tre muaj hetime derisa policia të vinte në pranga 3 ushtarët 22-25 vjeç dhe të sekuestronte 7 mina të telekomanduara, gati për t’u shitur brenda dhe jashtë vendit.

Ora News ka mësuar se për zbulimin e këtij aktiviteti prokuroria kishte infiltruar një agjent të policisë, që ishte paraqitur si blerës dhe person i interesuar për lëndë plasëse të montuar me telefon.

Roli i ushtarëve

Sipas hetimeve, tre ushtarët e arrestuar kishin role të ndryshme. Alban Dedaj, 22 vjeç, nga fshati Laim i Ri, Lezhe ishte personi që ndërtonte mekanizmin e bombës së montuar me celularin.

I dyshuari Fran Kola 25 vjeç nga Balldreni ishte personi që gjente dhe siguronte lëndën plasëse C4 dhe kartat e telefonit së bashku me aparatët celularë ndërsa Kleo Gjinkola 22 vjeç nga Shëngjini i Lezhës ishte personi që gjente blerësit e interesuar.

Hetuesit thanë se për çdo bombë të montuar me aparat celular, tre ushtarakët profesionistë të repartit të këmbësorisë në Vaun e Dejës, merrnin nga 1800 deri në 2500 euro, çmim që varionte në varësi të sasisë së lëndës eksplozive.

Bëhet e ditur se lënda plasëse sigurohej në Shkodër, nga disa persona që e trafikonin atë nga Mal i Zi dhe më pas kartat dhe aparatet celulare bliheshin në tregun e zi dhe bëhej montimi i tyre.

Arrestimi i tyre u bë në momentin që të dyshuarit po i dorëzonin agjentit të infiltruar “porosinë” e tij.

Hetimi është kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe sektori për trafiqet në policinë e shtetit.

Shtatë minat e telekomanduara që u sekuestruan përbëheshin nga eksploziv C4, 7 telefona celular te lidhur me eksplozivët me material sinjal percjelles dhe 7 mekanizma shpërthyes detonator.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/