DURRËS, 2 dhjetor 2014 – Lëndoi nga pakujdesia dy familjarët e vet, madje një të mitur 12 vjeç e 10 muaj, që i transportonte me “Opel” dhe do të dalë para togave të zeza, kurse një tjetër përplasi një motoçiklist. Lajmi i mirë është se të tre të plagosurit nuk rrezikojnë jetën dhe po marrin mjekimet.
Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se, më 1 dhjetor 2014, filluan procedime penale ndaj 37-vjeçarit Florik Destila, banues në Rrashbull dhe 21-vjeçarit Eridi Priska, banues në Sukth-Katund të komunës Katundi i Ri, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, pasi të dy, në harkun e 7 orëve të së hënës janë autorë aksidentesh.
“Opel” Vs “Benz”
Rreth orës 8.35 paradite, në lagjen nr. 13 (Plazh), te “Rruga e Frigoriferit”, duke drejtuar një “Opel”, Florik Destila u përplas me një “Benz” me targa të Tiranës, ku në timon ndodhej banori i Plazhit me inicialet Xh. T, 35 vjeç. Por nga karamboli e kanë pësuar familjarët e Destilës, që ndodheshin si udhëtare në “Opel”: u lënduan e mitura I. D, 12 vjeç e 10 muaj dhe 37-vjeçarja M. D. Fatmirësisht, të dy viktimat ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal të Durrësit.
“Benz” vs “Lifan”
Rreth orës 15.35 në rrugën e vjetër Shijak – Durrës, te mbikalimi i Fllakës, duke ngarë një “Benz”, Eridi Priska u karambolua me një motoçikletë kineze “Lifan”, që i jepte 31-vjeçari Z. GJ. nga Durrësi. Kështu, u lëndua motoçiklisti, i cili po mjekohet në spitalin rajonal të Durrësit, pa rrezik jete.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





