Kjo është çfarë ka mbetur nga makina e aksidentit tragjik, që i mori jetën në orët e para të mëngjesit të sotëm dy vajzave të reja, ndërsa drejtuesi Arbër Tivari mbeti i plagosur rëndë.

Është dashur ndërhyrja e efektivëve të zjarrfikëses për të nxjerrë trupat e 3 personave nga makina totalisht e dëmtuar, siç duket nga fotot e siguruara për “DurrësLajm” nga operatori Denis Simaku.

Në aksidentin tragjik të regjistruar në auttostradë, humbi jetën 26-vjeçarja Silva Gjergji dhe një shoqe e saj, ende e paidentifikuar, ndërsa u plagos rëndë drejtuesi i mjetit tip Ford Ka Arbër Tivari.

Sipas grupit hetimor, për shkaqe që nuk dihen, automjeti ka dalë nga rruga duke marrë me vete edhe barrierën metalike anësore, e cila është palosur brenda në makinë.

Nuk dihet nëse drejtuesi i mjetit ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike apo lëndëve narkotike, por do të jenë analizat toksikologjike që do t’I bëhen shoferit, që mund të hedhin më shumë dritë mbi shkaqet e aksidentit tragjik.