Durrës, 31 maj 2014 – Policia ka prangosur 36 vjeçarin Arben Pepushi, banues në Sektorin Rinia, Durrës, pasi mbrëmjen e së premtes, rreth orës 20.00 ka aksidentuar rëndë dy bashkëfshatarë të tij.
Aksidenti i rëndë është regjistruar në aksin rrugor që lidh Sektorin Rinia me Nish Tullën, në afërsi të Shënvlashit.
Automjeti tip Benz ML, me targa AA490IP, i drejtuar nga 36 vjeçari Pepushi është përplasur me motorçikletën tip Fliper, pa targa, në të cilën udhëtonin shtetasit A.Gj., 30 vjeç dhe A.T., 19 vjeç, pasagjer.
Përplasja e mjetit me motorçikletën ka qenë e fortë dhe për pasojë i ka shkaktuar dëmtime të shumta trupore dy të aksidentuarve. Ata janë shoqëruar me urgjencë në spitalin rajonal të Durrësit dhe i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale.
Ndërkohë Pepushi është arrestuar në flagrancë nga efektivët e rendit, pasi akuzohet për veprën penale ”Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa dëshmi”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





