Durrës, 29 maj 2014 – Ujësjellës Kanalizime Durrës ka vazhduar aksionin për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme në zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës. Në këtë zonë gjenden shumë debitorë, një pjesë e të cilëve janë subjekte që i përkasin sektorit të hoteleri-turizmit.
Prej vitesh, restorante dhe hotele me tre dhe katër yje, që janë ndërtuar në zonën turistike, nuk paguajnë faturat e ujit të pijshëm. Në aksionin e djeshëm. në njërin prej këtyre hoteleve janë konstatuar tre lidhje të paligjshme, ndërkohë që ky hotel nuk ka pasur kontratë për furnizimin me ujë.
Grupi i punës ka zbuluar lidhjet e paligjshme dhe ka vendosur gjobë në vlerën 50 mijë lek. Tashmë subjekti në fjalë do të faturohet me anë të matësit, ndërsa kontrollet po vazhdojnë për të gjitha hotelet dhe restorantet e kësaj zone.
Prej vitesh, shumë subjekte të tilla janë dërguar në zyrat përmbarimore për t’i detyruar ata që të paguajnë shumat që i detyrohen shoqërisë Ujësjellës Kanalizime për shërbimet që ajo ofron.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





