Durrës, 23 maj 2014 – Aksioni i ndërmarrë paraditen e sotme për të pastruar qytetin e Durrësit, lagjet kryesore të tij, pa të angazhuar shumë nxënës të shkollave 9 vjeçare dhe të mesme të qytetit, por edhe vullnetarë nga subjekte të ndryshme private, si kompani celulare, banka të nivelit të dytë etj.

Me rritjen e temperaturave dhe të fluksit të turistëve, kryesisht nga Kosova, që kanë nisur të frekuentojnë Durrësin dhe plazhet e tij ka dalë në pah nevoja për pastrim jo vetëm e plazheve, por edhe e qytetit.

Nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit janë përfshirë në aksionin e pastrimit që ka nisur nga qendra historiko-administrative e Durrësit, ku ndodhen dhe një pjesë e mirë e objekteve me vlera të rralla arkeologjike, pjesë e trashëgimisë dhe krenarisë së mbarë vendit. 

Aksioni do të shtrihet edhe drejt lagjeve të brendshme të Durrësit dhe në periferi të tij.

Aksioni i ditës së premte u parapri nga një fushatë 2-javore e quajtur “Green Tour”, e cila nuk shërbeu vetëm për ndërgjegjësim, por edhe për t’u njohur më mirë me situatën aktuale të ndotjes në vendet bregdetare. “Green Tour”, gjatë udhëtimit kishte në fokus diskutime në tavolina të rrumbullakëta me autoritetet lokale dhe rajonale në komunat dhe bashkitë bregdetare.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/