Paraditen e kësaj të premteje, fadromat dhe inspektorët e IMT Durrës u përqendruan në aksin “Aleksandër Goga”, në zonën pranë Muzeut të dëshmorëve.
Ashtu si edhe në lagje të tjera të qytetit, aksioni i ndërmarrë nga Inspektoriati Vendor i Mbrojtjes së Territorit, Policia Bashkiake dhe të tjera struktura lokale kishte në fokus lirimin e hapësirave publike, të zëna në mënyrë të kundraligjshme nga qytetarët dhe bizneset.
I nisur që me datë 7 korrik, një ditë para vizitës së kryeministrit Rama në Durrës, aksioni për lirimin e hapësirave publike është përqendruar në disa akse dhe lagje të qytetit bregdetar, nga ku janë larguar apo hequr tenda, vazo me lule, pedana betoni, struktura metalike etj.
Një muaj pas ndërhyrjeve shtetërore, qytetarët durrsakë ndajnë mendime të ndryshme për suksesin ose jo të aksionit “Tokë e xanun”.
“Kot fare, asgjë nuk po bëjnë. Asgjë nuk po hapet”.
“Po të dalësh në rrugët dytësore keni plot hapësira të zëna. Makinat mbi trotuar”.
“Çfarë është pa leje duhet të prishet, të shkatërrohet. Çdo gjë të bëhet brenda ligjit, brenda rregullave”.
“Kush ka zaptuar, ta lirojë”,- thonë disa prej qytetarëve për “DurrësLajm”.
Aksioni i nisur këtë të premte do të përqendrohet gjatë këtyre ditëve në këtë aks, deri në zonën pranë Spitalit Rajonal Durrës.
M.B.





