Paraditen e kësaj të premteje në sheshin “Liria” u zhvillua një aktivitet sensibilizues në bashkëpunim me Bashkinë Durrës dhe me mbështetjen e organizatave për mbrojtjen e kafshëve si “Jeta, kafshët dhe njerëzit” dhe “Kolibja e Zemrës”.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Kafshëve Endacake (4 prill) dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin e komunitetit për përkujdesjen dhe sjelljen miqësore ndaj kafshëve.
Përmes një stende informuese, qytetarët patën mundësi të njihen më nga afër me rëndësinë e kujdesit ndaj katërputroshëve endacakë, prania e të cilëve pranë zonave turistike ka qenë një shqetësim jo vetëm për vendasit, por edhe turistët e huaj.
“Ne jemi këtu sot për sensibilizimin e qytetarëve. Një shoqëri humane duhet të sillet në mënyrë njerëzore me kafshët, sepse kemi shumë persona që i dhunojnë ato, duke i kthyer në agresivë”,- tha ndër të tjera Lindita Papa, përgjëgjëse e sektorit të Veterinarisë pranë Drejtorisë së Zhvillimit Rural, Bujqësisë dhe Emergjencave Civile në bashkinë Durrës.
Pas fushatës 4 ditore për sterilizimin dhe kastrimin e qenve dhe maceve të rrugës, që u krye në fillim të muajit mars, shoqata “Jeta, kafshët dhe njerëzit” e vazhdon këtë proces për çdo muaj. Për këtë arsye, shoqatat për mbrojtjen e kafshëve apelojnë që në rastet, kur qytetarët konstatojnë qen endacakë agresivë, të sinjalizojnë në numrin e telefonit 068 57 19 197.
“Sot kemi vendosur të bashkëpunojmë me bashkinë e Durrësit për të bërë një sensibilizim që qytetarët të ndërgjegjësohen dhe të na kontaktojnë, sepse ne bëjmë gjatë të gjithë kohës sterilizime dhe të sjellin qenushët e tyre. Në momentin kur ne konstatojmë qenushë agresivë, që bëhen problem për qytetarët ne mundohemi të gjejmë zgjidhje përmes adoptimit apo kastrimit të tyre”,– tha për “DurrësLajm” Zamira Kuçi, drejtoreshë ekzekutive e qendrës “Jeta, kafshët dhe njerëzit”.
Gjatë muajit mars rreth 160 kafshë të rrugës iu nënshtruan procesit të kastrimit dhe sterilizimit.
M.B.





