Aktori Hysen Bashhysa feston sot 72-vjetorin e lindjes. Ceni, siç e thërrasin thuajse të gjithë lindi më 16 shtator 1947 në Durrës. Hysen Bashhysa ka qenë protagonist në role kryesore në më shumë se 100 drama, komedi, tragjedi e filma.

Tani që kanë kaluar 4 dekada që nga dita që ngjiti shkallët në godinën e teatrit “Aleksandër Moisiu” është e pamundur të kujtohen të gjitha rolet dhe koha e vënies në skenë e tyre.

Drama e Fadil Pacramit “Cështja e inxhinierë Sajmirit” përforcon bindjen se Hysen Bashhysa ishte aktor me tipare shumë cilësore dhe se karriera e tij ishte e padiskutuar. Mjaftoi një urdhër i sekretarit të parë të komitetit të partisë së Durrësit Iliaz Reka që Bashhysa të niste karrierën si profesionist.

Nikolin Gjoja, Vangjel Heba, Lutfi Hoxha, Spiro Urumi e Vera Urumi, Teodor Rupi e Todi Thanasi do i rezervojnë pritjen më të ngrohtë 23-vjecarit që i shikonte aktorët e Durrësit si idhuj plot frymë e jetë. Sukseset për të erdhën një pas një. Diploma e rradhës për aktorin do të vijë pas interpretimit në rolin kryesor të dramës së Kujtim Spahivogli “Një shok i klasës sime”.

I riu nuk u mjaftua vetëm me teatrin pasi u bë pjesë shumë aktive e estradës me interpretime të poezive të Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë, Fatos Arapit, Xhevahir Spahiut, Bardhyl Londos, Mimoza Ahmetit, Majakovskit, Bërnsit etj. Dhe si për të mos mjaftuar as edhe me estradën nis të lozë role parësore edhe në filma. Bashhysa ka marrë pjesë si aktor në 15 filma të cilat kanë shërbyer si përvojë shumë e mirë.

Në festivalin e dramës “Shqip” të zhvilluar në Dibër të Madhe ai mori cmimin e parë me dramën “Tango” të Mrozhek, stimul i vlerësuar nga kritika për shkak të aftësive të vecanta interpretuese të Hysen Bashhysës. Aktori kujton se shumë sukses dhe njohje jashtë kufijve i ka dhënë roli Isa Boletinit, Mic Sokolit dhe figurave të tjera historike.

Bashhysa kujton se ka qenë aktor kryesor në të gjitha dramat e dramaturgut e shkrimtarit Bashkim Hoxha si në “Të jesh 20 vjec”, “Këngë dashurie dhe korba”, “Heronjtë e vjagrës” me rolin e Martinit, “Ne të gjithë kënduam Margaritën”, “Unë dhe Mefistofeli”, “Shokë lufte” e cila u ndalua për të mos shkuar në festival ngase u bë e padëshiruar për shkak të koncepteve shumë të avancuara për kohën.

Në 42 vite aktivitet prej aktori në teatër e film ka shënuar emrin e tij në dhjetra role të veprave më të njohura shqiptare e të huaja. Teatri ka qenë streha, shtëpia, shkolla; ka qenë gëzimi dhe edukimi; institucioni që i ka kurorë e prestigj të padiskutuar. Cenin e njohin të gjithë. Sot, në moshën 72-vjecare flokët e thinjura ia shtojnë edhe më tej fisnikërinë. 

*Marrë me shkurtime nga postimi në Facebook i Teatrit "Aleksandër Moisiu" Durrës