Durrës, 7 prill 2014  – Katër prej 6 baxhove të liçensuara në rrethin e Durrësit u është bllokuar aktiviteti nga drejtoria rajonale e AKU-së. Gjatë kontrollit të sotëm të ushtruar nga inspektorët e kësaj drejtorie në 4 baxho (në plazh, në Shkozet, në Shkallnur dhe në Sukth) ka rezultuar se tre prej tyre nuk plotësonin kushtet e nevojshme higjeno-sanitare për ushtrimin e këtij aktiviteti. Për të tre këto baxho inspektorët kanë lënë detyrë që brenda një jave të punohet për plotësimin e të gjitha detyrave të lëna nga grupi i inspektimit.

Ndërkohë baxhoja e katërt është mbyllur për shkak të problemeve që kishte me etiketimin e produkteve. Sipas drejtorit të AKU-së në Durrës, Altin Murto, etiketave të përdorura nga kjo baxho për produktet dhe nënproduktet e qumështit u kishte kaluar afati 5 vjeçar. Drejtuesve të kësaj baxhoje iu la detyrë që të aplikojnë pranë kësaj drejtorie për nxjerrjen e etiketave të reja dhe më pas mund të vazhdojnë normalisht aktivitetin.

Përsa i përket kontrollit të bërë me mostrat e djathit nëse ishte përdorur apo jo niseshte në të rezultoi se të 4 baxhot nuk kishin probleme në këtë drejtim.

Për agjencinë e lajmeve “Dyrrah”, Murto pohoi se gjatë të gjithë kësaj jave puna e inspektorëve të drejtorisë së AKU-së në Durrës do të përqendrohet në kontrollin e të gjitha subjekteve prodhuese dhe tregtuese të qumështit dhe nënprodukteve të tij. Paraditen e së martës, kontrolli i inspektorëve të AKU-së do të përqendrohet në dyqanet e bulmetit, të pozicionuara kryesisht në afërsi të tregut të fruta-perimeve.

Në të gjithë rrethin e Durrësit numërohen 6 baxho dhe rreth 25 njësi tregtimi të qumështit dhe nënproduketeve të tij.    

Ministria e Bujqësisë ka nisur kontrollet dhe verifikimet e produkteve me origjinë shtazore në rang kombëtar. Ministria ka urdhëruar AKU-në që të marrë në treg mostra djathi, gjize dhe produktesh të tjera me origjinë shtazore për t’i analizuar në Institutin e Sigurisë Ushqimore e Veterinare pas shqetësimeve të ngritura nga konsumatorët, pasi në disa raste në përbërje të djathit ka niseshte.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/