Kontrolle rigoroze po kryhen nga Drejtoria Rajonale e AKU Durrës në bashkëpunim me atë të qarkut Tiranë, Fier dhe Elbasan, në ambientet e grumbullimit të produkteve ushqimore.
"Vijon monitorimi i vazhdueshëm nga AKU në ambientet e grumbullimit të shkollës 9-vjeçare “Marie Kaculini"; magazinat e rezervave të shtetit në Durrës; shkollën “Bernardina Qeraxhija”; shkollën e mesme “Leonik Tomeo” në Durrës; në ambientet e caktuara nga Bashkia Shijak; në ambientet e Pallatit të Sportit; në ambjentet e grumbullimit Sukth, Manëz; në ambientet e grumbullimit Fusha e Sportit, Fushë-Krujë dhe në njësinë administrative Nikël. Nga kontrollet e kryera rezulton se produktet ushqimore ruhen në kushte të përshtatshme, janë brenda afatit të përdorimit, si dhe produktet e ambalazhuara nuk kanë dëmtime, për rrjedhojë janë të sigurta për konsum human",- njofton AKU.
Ndërsa, në ambientet e grumbullimit të shkollës së mesme “Leonik Tomeo”, pas konstatimit të produkteve ushqimore me origjinë shtazore (sallam, suxhuk) të ruajtura në kushte të papërshtatshme, trupa inspektuese vendosi asgjësimin e këtyre produkteve ushqimore, të cilësuara si të papërshtatshme për konsum human.





