42 inspektime në zonën turistike Gjiri i Lalëzit-Hidrovor dhe 210 në atë të Urës e Dajlanit-Përroit të Agait

– Si 7-mujor u bllokuan 430 kg mish dhe produkte të tij, u asgjësuan 5 kv pije freskuese, qumësht, gjizë, djathë, akullore.

DURRËS, 8 gusht 2014 –  Inspektorët e ushqimit vënë në rresht bizneset në dy zonat turistike, ku zbulon edhe të paregjistruar në tatime, 22 në segemtin Gjiri i Lalëzit-Hidrovor dhe 100 në atë Ura e Dajlanit-Përroi i Agait, ndërkohë që ka një situatë të sigurt për popullatën dhe pushuesit.

GJIRI I LALËZIT-HIDROVOR

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Durrësit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit z. Altin Murto (në foto) bëri të ditur për “Dyrrah”-un se në periudhën 21 qershor 31 korrik janë bërë 42 inspektime në zonën turistike Gjiri i Lalëzit-Hidrovor, kjo në kuadrin e bashkëpunimit ndërdikasterial me Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit për sigurinë ushqimore në sezonin turistik 1 qershor-1 shtator 2014.

Janë kontrolluar kryesisht operatorë të biznesit ushqimor, të cilët prodhojnë, përpunojnë dhe tregtojnë produkte ushqimore (bare, restorante, fast-fude, mini-dhe-super-markete) si dhe 6 pika të tregtimit të mishit.

U zbulua se mbi gjysma e bizneseve të inspektuara, 22 të tilla (bare-restorante të përkohshme), nuk ishin regjistruar në organet tatimore, por që u detyruan të paraqiteshin atje.

Gjithsesi, ka shumë përparim dhe ndërgjegjësim për respektimin e normave higjenike dhe standardeve, por disa prej tyre përdornin ujë jo të rrjedhshëm, pusi, për larje pjatash, por ujë të ambalazhuar për gatim dhe shërbim ndaj klientëve.

URA E DAJLANIT-PËRROI I AGAIT

Kurse në zonën turistike Ura e Dajlanit-Përroi i Agait (te Shkëmbi i Kavajës) u inspektuan 210 biznese, ku 100 prej tyre iu dërguan drejtorisë së tatimeve për regjistrim (meqë ra fjala, nëse vitin e kaluar në rrjetin e AKU-së në Durrës ekziston 1 600 biznese ushqimore, tashmë figurojnë 2 200 subjekte të licencuara, ose 37,5 për qind më tepër).

U kushtua vëmendje kontrollit të cilësisë së prodhimit, ambalazhimit e tregtimit të bukës; monitorimit të vajit për gatim (skuqje), nisur nga nevoja e respektimit të nivelit të riskut.

PARAPRIRJA

Për zotin Murto, që është një ekspert i mirë i bujqësisë, situata e sigurisë ushqimore në zonat turistike të qarkut të Durrësit është e lartë, por që kërkon vazhdimisht mbajtje nën kontroll.

Vetëm për muajin korrik janë bërë 120 analiza për akullore, vaj ulliri etj.

Pikërisht për t’i paraprirë menaxhimit të situatës në prag të sezonit veror, kreu i AKU-së rajonale të Durrësit bëri të ditur se për periudhën 7-mujore, janar-korrik 2014, janë bërë 3 210 inspektime nga 770 të tilla në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose rreth 4,2 herë më shumë. 

Gjithashtu janë bllokuar 430 kg mish dhe produke të tij, u vendosën 14 gjoba; u asgjësuan 5 kv pije freskuese, qumësht, gjizë, djathë, akullore.

Në qendër të vëmendjes ka qenë kontrolli dhe licencimi i pikave të shitjes së mishit, ku në gjithë qarkun u licencuan 132 të tilla.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/