DURRËS, 20 maj 2014 –  Një insekt i gjelbër që terrorizon fermerët në shumë vende të botës, mund t’ia behë dhe Durrës, sikurse ka ndodhur disa vite më parë kur bëri kërdinë në shumë parcela të gjelbëruara, duke iu përveshur dhe qytetit.

Koha e butë dhe një verë, sidomos në korrik dhe gusht, që mund të jetë e thatë, shton karkalecin, i cili do të bënte kërdinë në bujqësi dhe lulishtet e qytetit bregdetar.

Kjo dhe për faktin se, edhe pse janë dhënë fonde, tenderi ka dështuar për pakujdesi të ofertuesve.

Burime zyrtare nga drejtoria rajonale e Bujqësisë e Durrësit dhe Instituti i Mbrojtjes së Bimëve i thanë “Dyrrah”-ut me shqetësim se u anulua një tender i zhvilluar më 5 maj 2014 për luftimin e karkalecit dhe mizës së ullirit.

Buxheti i shtetit ka vënë në dispozicion fondin limit prej 833 000 lekë.

Në këtë garë u paraqitën dy firma, por të dyja me probleme.

Kështu, njërësi mungonin dokumentet e kërkuara në grupin e kapacitetit teknik (deklaratë origjine malli, leje importi nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, certifikata cilësie dhe origjine nga prodhuesi, etj); kurse operatorit tjetër ekonomik i mungonin vërtetimi nga tatim-taksa për sigurimet shoqërore, dokumenti për kontrata të ngjashme pune si dhe vërtetimi për xhirot në tre vitet e fundit.

Agronomët dhe specialistët e mbrojtjes së bimëve thonë se nëse në korrik-gusht do të ketë thatësirë, nuk përjashtohet që në horizont të shfaqen retë e zeza të karkalecave.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/