DURRËS, 24 nëntor 2014 – Drejtoria e burimeve njerëzore dhe promocionit, sektori i promocionit dhe trajnimeve në drejtorinë e përgjithshme ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD) u kujtua, më 24 nëntor 2014, pas gjashtë ditëve, të njoftonte për një vizitë të një delegacioni kroat të Autoritetit Portual të Ploçe-s, më 18 nëntor 2014.
APD-ja thotë se fillimisht delegacioni që përbëhej “nga përfaqësues të lartë” të Autoritetit Portual të Ploçe-s (nuk përmenden as emra as funksione, si të ishin anonimë apo alienë!) dhe kompanisë ACTUAL, u prit në një takim “të ngrohtë dhe miqësor” nga drejtori i përgjithshëm ekzekutiv z. Selim Belortaja.U diskutuan mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojës si dhe partneritetit të mundshëm në projekte të fushave të ndryshme. Pastaj në sallën e konferencave u bë një takim i zgjeruar me përfaqësues të drejtorisë ekzekutive, operatorëve privatë, kapitanerisë, kufirit dhe migracionit, doganës, etj. Pasi shprehën konsideratën e tyre për punën në APD, “alienët” kroatë vazhduan me një prezantim të portit të Ploçe-s. Kompania ACTUAL IT paraqiti sistemin modern të komunikimit dhe administrimit të informacionit “Port Community System”, zbatuar së fundmi në portin e Ploçe-s. Kompania “Tetra Solution” paraqiti sistemet e IT-së në portin e Durrësit si sisteme bashkëkohore dhe të adoptueshme me sisteme menaxhimi të autoriteteve portuale në nivel vendor, rajonal edhe më gjerë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





