Mbrëmjen e shkuar u përurua në Durrës përfundimi i restaurimit të Kullës C, e dëmtuar nga tërmeti i 2.5 viteve më parë, që nuk kurseu as monumentet e trashëgimisë kulturore.

Përurimi mblodhi bashkë ambasadoren amerikane Yuri Kim dhe homologen suedeze Elsa Hastad, ministret Milva Ekonomi dhe Elva Margariti dhe kryebashkiaken Emiriana Sako.

Ministrja e Kulturës, ndërsa tregoi para të ftuarve përjetimin e momenteve të para pas tërmetit, hodhi idenë e ndryshimit të emrit të kullës.

“Mund të duket një element shumë i vogël, mund të duket thjeshtë si një kullë. Një kullë, që dua ta hedh pak si provokim, quhet kulla C. Një emër paksa jo i denjë për të gjithë simbolikën që ka për Durrësin, por le t’ia lëmë në dorë arkeologëve këtë dhe t’i vëmë ndoshta një emër më të mirë, një emër të cilin e meriton”, tha Margariti ndër të tjera.

Edhe ambasadorja amerikane kujtoi vizitën e saj të parë në Durrësin që sapo kishte dalë nga lëkundjet e tërmetit tragjik.

Rrugës për në Durrës, teksa shihja nga dritarja, po ndërmendja vizitën time të parë në këtë qytet, ndërsa sapo kisha mbërritur në Shqipëri si ambasadore e SHBA-ve rreth 2 vite e gjysmë më parë.

Këtu kam ardhur për herë të parë në janar të vitit 2020. Ishte ende dimër, ishte koha kur gjithçka ishte në gjendje të shkatërruar, ishin përpjekjet që po bëheshin për t’u rimëkëmbur. Ajo që shihej, përveç dëmeve dhe rrënojave, ishte dhimbja e njerëzve dhe vështirësitë e shkaktuara nga gjithë kjo situatë. Gjëja që ndihej më së forti ishte qëndresa dhe kurajo e durrsakëve”, tha Kim.

Ambasadorja suedeze i hodhi sytë më larg. Ndërsa kujtoi rëndësinë historike të kullës, ajo u shpreh krenare që sot përurohet kthimi i saj në identitet.

“A nuk është e mahnitshme, të mendosh se përgjatë gjithë kësaj historie, kjo kullë ka qenë një pikë mbrojtje dhe sulmi? Shumë kanë ardhur e të tjerë kanë shkuar, bizantinët, venecianët, otomanët, e të tjerë me rradhë, por ja ku jemi tani këtu bashkë.

Ne ishim më të fortë së bashku dhe ishim krenarë që të mund të ishim në partneritet dhe të mund të rindërtonim së bashku. Kështu u rindërtuan tri site të rëndësishme, si Kruja, Preza dhe Durrësi”, tha Hastad.

Tërmeti i vitit 2019 e dëmtoi rëndë kullën C, pjesë të fortifikimit të Durrësit, duke shkaktuar shembjen e një pjese të madhe të muraturës.

Ajo u shpërbë në blloqe që peshonin nga 10 deri 40 ton secili dhe punimet për riparimin e saj u realizuan në periudhën prill 2021 – prill 2022.

Disa nga ndërhyrjet kryesore përfshinë riparimin dhe konsolidimin e themeleve të Kullës C, ringritjen e muraturës me blloqet e rrëzuara, plotësimin e zgavrave midis blloqeve me tulla të prodhuara në mënyrë artizanale si dhe vendosjen e elementëve përforcues për të përmirësuar kapacitetin sizmik të strukturës.