“Progresi i Shqipërisë dhe sfidat drejt rrugës në Bashkimin Evropian”, ishte tema e aktivitetit të organizuar nga Departamenti i Shkencave Politike në bashkëpunim me ambasadën e Mbretërisë së Holandës dhe Forumit të Politikave të Integrimit (EU Policy Hub) më datë 30 maj 2017.
E pranishme në këtë takim, ishte ambasadorja e Holandës në Tiranë, Znj. Dewi van de Weerd, e cila u prit nga Rektorja e Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski. Rektorja së bashku me stafin e njohu ambasadoren holandeze mbi ecurinë dhe arritjet e Universitetit “Aleksandër Moisiu”. Në takim u diskutua gjithashtu edhe për mundësitë e bashkëpunimeve me universitete homologe të Holandës në programe dhe fusha me interes të përbashkët.
Më pas aktiviteti vijoi me leksionin e hapur me studentët e Shkencave Politike të Universtetit “Aleksandër Moisiu”. Në fjalën e saj, Ambasadorja, Shkëlqesia e saj, Dewi van de Weerd, theksoi mbështetjen që vendi i saj ofron në përmbushjen me sukses të prioriteteve që Shqipëria do të duhet të plotësojë për anëtarësimin në familjen evropiane. Zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma e gjyqësorit dhe respektimi i të drejtave të njeriut ishin disa nga çështjet të cilat ambasadorja diskutoi me studentët në formën e një bashkëbisedimi.
Pas fjalës së ambasadores, shefja e departamentit të shkencave politike të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Dr. Elda Zotaj, referoi mbi rolin e arsimit dhe programeve akademike në edukimin e brezit të ri mbi çështjet e integrimit evropian. Më tej Dr. Dalina Jashari, kërkuese pranë Forumit të Politikave të Integrimit, diskutoi rreth rolit të medias shqiptare në trajtimin e çështjeve të integrimit evropian.
Ndërsa Dr. Dorian Jano, drejtues i katedrës Zhan Mone dhe koordinator i Forumit të Politikave të Integrimit pasqyroi progresin e Shqipërisë në lidhje me adoptimin dhe zbatimin e legjislacionit të BE-së për të 33 kapitujt. Me interes në këtë aktivitet ishin edhe diskutimet e lira dhe pyetjet e ngritura nga studentët për panelin e referuesve. Në fund të këtij takimi informues, ambasadorja së bashku me studentët dhe referuesit bënë foton e rastit, me urimin për t’u takuar sërish në takime të tjera të ngjashme në të ardhmen.





