Tiranë, 9 korrik 2014 – Në kulmin e replikave mes KLD dhe Ministrit të Drejtësisë për vendimet gjyqësore, gjyqtari i Durrësit njëherësh anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Tritan Hamitaj, ka vendosur të lerë të lirë duke mos marrë asnjë masë sigurimi një shtetas të akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë.

Vendimi është marrë disa ditë më parë, ku në gjykatën e Durrësit me kërkesë të prokurorisë së rrethit, ishte paraqitur shtetasi Shpëtim Mema, i dënuar më parë me 10 vite burg për vrasje. Ky shtetas kishte dalë nga qelitë e burgut të Rrogozhinës disa ditë me leje, dhe se në orët e vona të mbrëmjes është konfliktuar me armë me  administratorin e lokalit me muzikë live “Colombo” në Durrës, duke qëlluar në drejtim të tij dhe rojes privat të lokalit.

Për pasojë policia e Durrësit ka mundur ta arrestojë shtetasin Shpëtim Mema dhe të ngrejë akuzë për “Kanosje”, “Vrasje me rrethana të tjera cilësuaese mbetur në tentativë” dhe "Armëmbajtje pa leje”.

Prokuroria e Durrësit i ka kërkuar Gjykatës caktim mase sigurie "Arrest me burg”. Çështje i ka rënë gjyqtarit Tritan Hamitaj, i cili ka qenë një nga tre gjyqtarët që ka dënuar me 10 vite burg Shpëtim Memën në vitin 2011.

Tre vite nga ky vendim, Tritan Hamitaj ka vendosur të mos marrë asnjë vendim për caktimin e masës së sigurisë duke lënë ‘de jure’ të lirë shtetasin e arrestuar nga policia.

Sipas Hamitaj, i arrestuari ka një dënim prej 10 vitesh burg për të shlyer prandaj ka vendosur të mos marrë asnjë masë. Ndërkohë prokuroria shprehet se gjyqtari duhej të shprehej për kërkesën e akuzës.

Ngjarja

4 persona kanë përfunduar në pranga, pas plagosjes në një lokal me muzikë live, të regjistruar në orët e para të mëngjesit të së premtes së kaluar, në zonën e plazhit në Durrës. Burime policore bëjnë të ditur se kanë arrestuar në flagrancë katër shtetas, të implikuar në të shtënat me armë zjarri, në një lokal në sektorin Apollonia, Durrës. Në pranga kanë përfunduar shtetasit Pëllumb Tuda, 45 vjeç, pronar i lokalit ku u regjistrua plagosja, Besnik Ruçi, 34 vjeç, roje në këtë lokal si dhe shtetasit Ivan Tuda, 36 vjeç dhe Shpëtim Mema, 38 vjeç, nga Shijaku. Nga hetimet paraprake të kryera nga policia ka rezultuar se rreth orës 02.00 të mëngjesit të datës 4 korrik, 38 vjeçari Shpëtim Mema ka kërcënuar me armë rojen e lokalit muzikë live, Besnik Rucin dhe pronarin e lokalit Pellumb Tudën. Por kërcënimi ka shkuar edhe më tej, pasi Mema ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të këtyre dy shtetasve. Në këto kushte pronari i lokalit, Pëllumb Tuda ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të Shpëtim Memës. Si pasojë e shkëmbimit  të zjarrit ka mbetur i plagosur roja e lokalit, Besnik Ruci, i cili ndodhet i arrestuar në spitalin e Durrësit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve për shkak të plagëve të marra në këmbë. Pas konfliktit të armatosur, palët e përfshira në të kanë dashur të mbulojnë gjithçka për të evituar hetimin e policisë. Për këtë arsye Pëllumb Tuda i ka dhënë pistoletën të afërmit të tij, Ivan Tudës me qëllim fshehjen e saj. Ndërkohë Shpëtim Mema është larguar menjëherë nga vendngjarja duke marrë me vete automjetin e tij, ku dukeshin qartë shenjat e lëna nga konflikti me armë zjarri.

Shpëtim Mema i dënuar me 10 vite burg

Shpëtim Mema u ekstradua në datë 16.10.2012, nga Milano/Itali, drejt vendit tonë. Mema ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr. 558, datë 27.10.2010, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë“Arrest në burg“ për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me dashje” parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal. I ekstraduari Shpëtim MEMA , në datën 20 korrik 2010, rreth orës 02.00‘ të natës, ka vrarë me armë gjahu shtetasin Agim Seci. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në lokalin “Diaspora“ në pronësi të viktimës në zonën e plazhit në Durrës.  Arrestimi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit Shpëtim MEMA u bë i mundur në datën 24 gusht 2012, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën.

/Shqiptarja.com/