– Asnjë reagim nga autoritetet shqiptare të monitorimit të sigurisë në port dhe ruajtjes së mjedisit detar
– Mbetet mister qëndrimi i tejzgjatur i anijes, në një distancë 6 km në vijë ajrore nga plazhi i Golemit në “pritje” (?) të 5 800 tonë çimento për eksport, kurse disa anije të tjera, që kanë ardhur pas Loyga-s, kanë ngarkuar dhe kanë ikur
– Shkurt-mars 2014 u bllokua për 17 ditë në portin Bremerhaven në Gjermani nga IMO-ja dhe Memorandumi i Parisit për 25 defekte
– Po në Bremerhaven, në portin e peshkimit, dy vjet më parë, më 29 korrik 2012, u arrestua për ndotje të detit
– Më 25 dhjetor 2013, pasi ishte ngarkuar me lëndë druri për dy ditë në portin rus të Arhangelsk-ut, Loyga nuk doli dot për lundrim për shkak të defektit në motorin kryesor
Nga Thanas Mustaqi
DURRËS, 12 gusht 2014 – Në portin e Durrësit, në kalatën 0, me gjatësi 78 m dhe thellësi 7.3 metra, në dispozicion të ushtrisë, kufirit, etj. janë në gatishmëri dy anije patrulluese të forcës detare dhe kontrollojnë herë pas here radën e jashtme.
Pas një lajmi të “Dyrrah”-ut të 31 korrikut 2014 (shih: http://www.durreslajm.com/ekonomia/durr%C3%ABs-21-dit%C3%AB-n%C3%AB-rad%C3%AB-anija-p%C3%ABr-%C3%A7imento-eksporti-n%C3%AB-libi-etj), nuk dihet nëse Ministria e Mbrojtjes po mban nën vëzhgim anijen “Loyga”, që ndodhet aty që nga data 10 korrik 2014, pra prej 33 ditësh, në pritje për të ngarkuar 5 800 tonë çimento për eksport, kurse disa të tjera, që kanë ardhur pas “Loyga-s”, kanë ngarkuar dhe kanë ikur.
MISTERI
Mbetet mister qëndrimi i tejzgjatur i anijes, në një distancë 6 km në vijë ajrore nga plazhi i Golemit në koordinatat 41.24925° V 19.46263° L (shih poshtë faksimilen e hartës, pika e kuqe).
Anija ka si agjent detar Alba Transport shpk me seli në Vorë, me përfaqësues ligjorë Elmaz Plava dhe Ilirjan Rexha, kurse si stivador kompaninë shqiptare-gjermane ASC (Albanian Stevedoring Company shpk), me përfaqësues ligjorë Jens Uwe Strober dhe Luis Avni Hoxha.
Anijet në radë nxjerrin probleme dhe për sigurinë portuale, me të cilën merren dhe kryqëzohen si kapitaneria, Administrata Detare, forca e sigurisë e Autoritetit Portual Durrës (Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës), policia kufitare dhe migracionit (Ministria e Punëve të Brendshme), qendra e vëzhgimit detar, Roja Bregdetare, Forca Detare (Ministria e Mbrojtjes), Agjencia Rajonale e Mjedisit (Ministria e Mjedisit), që me ligj të gjitha këto institucione publike janë të ngarkuar dhe me mbrojtjen e mjedisit detar.
Shërbime të huaja sekrete kanë hetuar për një rast qëndrimi të tejzgjatur të një anijeje të huaj në radë, me dyshimin e trafikut të armëve.
Tërheqim vëmendjen se Loyga është bërë si e “shtëpisë” në portin e Durrësit, pasi ka realizuar disa ngarkesa me çimento për Libi (shih foton poshtë dhe faksimilen e infos nga AIS – Sistemi i Identifikimit Automatik – të datës 12 gusht 2014).
Njoftojmë ministrat Mimi Kodheli dhe Saimir Tahiri të PS-së dhe Edmond Haxhinasto, Lefter Koka dhe kryetarin e komisionit kuvendar për Sigurinë Kombëtare Spartak Braho, përfaqësues të LSI-së, si dhe kreun e Shërbimit Informativ të Shtetit Visho Ajazi se deri tani nuk ka asnjë reagim nga autoritetet shqiptare të sigurisë dhe mjedisit detar për qëndrimin 33-ditor të “Loyga-s” në radë.
E themi këtë për arsye se “Dyrrah-u” nuk merret me thashetheme dhe ka bërë hetimet e tij (në serialin turk Lugina e ujqve (Kurthi) një nga personazhet përdor herë pas here fjalinë: “Mos më thoni se nuk ju thashë!”).
JA ARRESTET PËR NDOTJE DETI
“Dyrrah”-u ka bërë disa kërkime për historinë e anijes Loyga, duke zbuluar fakte që hedhin dritë për rrezikshmërinë mjedisore që paraqet kjo anije.
Anija Loyga është në pronësi të kompanisë ruse Avtomobilnaya rechnaya morskaya transportirovka gruzov – Arhangelsk, në menaxhimin e kompanisë gjermane Team Shipmanagement – Bremerhaven, me flamur të Beliz-it, gjë që është e rrallë për praktikën e Federatës Ruse, e cila paska lejuar anije të veta të mbajnë flamur jo-rus, pasi anijen, e ndërtuar në vitin 1981 në Japoni, e ka klasifikuar Regjistri Detar Rus).
Kjo anije, për shkak të vjetërsisë 33-vjeçare, ka pasur probleme teknike, sidomos nga ato që shkaktojnë ndotje.
Kështu në muajt shkurt-mars 2014 Loyga është arrestuar për 17 ditë në portin Bremerhaven në Gjermani nga IMO-ja dhe Memorandumi i Parisit për 25 defekte të zbuluara (shih faksimilen e njoftimit të MoU Paris).
Po në Bremerhaven, në portin e peshkimit, dy vjet më parë, më 29 korrik 2012, anija Loyga me operator Avtorechmortrans (shkurtim i emërtimit të gjatë i shoqërisë ruse të Arhangelsk-ut Avtomobilnaya rechnaya morskaya transportirovka gruzov) është arrestuar me të mbërritur nga porti rus i Arhangelsk-ut.
Kishte ndotur ujin me rrjedhje karburanti dhe kapiteni u gjobit me 10 mijë euro dhe anija ka qëndruar për dy javë për riparimin e të metave të ndryshme (sipas shtypit rus në: http://www.rs-head.spb.ru/app/fleet.php?index=814424&type=book1&language=rus).
Është interesant titulli i një shkrimi të datës 5 shkurt 2014 i së përditshmes vendore të Arhangelsk-ut Pravda severa “Lamtumirë Loyga!” (http://pravdasevera.ru/newspaper/2014/15/society/trudnye_ledovye_mili/), ku përmendej fakti se më 25 dhjetor 2013, pasi ishte ngarkuar me lëndë druri për dy ditë në këtë port, Loyga nuk doli dot për lundrim për shkak të defektit në motorin kryesor.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





