DURRËS, 12 shtator 2014 – Në një nga variantet e reformës territoriale dhe administrative ishte parashikuar bashkimi i Durrësit me Shijakun, por të anketuarit e këtyre dy qyteteve nuk kanë shprehur mbështetje të madhe, thotë projekti START pas një anketimi.
Qeveria shqiptare dhe mbështetur financiarisht nga Projekti STAR (Support to Territorial and Administrative Reform), ndërmori “Anketën e zërit të qytetarëve” për Reformën Territoriale-Administrative [Projekti STAR zbatohet përmes një fondi të krijuar nga shumë donatorë dhe me mekanizmat menaxhues të PNUD-it në Shqipëri; synonte të lehtësonte dhe mobilizonte të gjitha burimet njerëzore të nevojshme dhe logjistikën që kërkohet për kryerjen e reformës territoriale; STAR financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA), Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, USAID-i dhe PNUD-i.]
“Anketa e zërit të qytetarëve” ishte një projekt që synonte të mblidhte, nëpërmjet një kampioni / mostre përfaqësuese, opinionet e qytetarëve në lidhje me njohuritë që kanë për aspekte të ndryshme të reformës; nivelin e mbështetjes apo kundërshtimit që shfaqin qytetarët për nevojën e reformës në parim; nivelin e mbështetjes apo kundërshtimit që shfaqin qytetaret në lidhje me propozimet specifike për ndarjen e re administrative të propozuar nga Qeveria; arsyet e mbështetjes apo kundërshtimit; perceptime të ndryshme mbi problematikën me të cilën përballet qeverisja vendore.
Mbledhja e të dhënave në terren u krye në periudhën 15 qershor 2014-17 korrik 2014.
Në nivel kombëtar rreth 67 për qind e qytetarëve kanë shprehur mbështetje për reformën në parim, rreth 12 për qind janë shprehur neutral dhe vetëm 21 për qind janë shprehur kundër reformës në parim.
Në rastin e Durrësit, 79 për qind e kampionit e mbështesin nevojën për një ndarje të re territoriale.
Bie në sy se 46 për qind e kampionit janë pro variantit 39, ku Durrësi, Sukthi, Shijaku dhe Manza janë bashki me 6 komuna të tjera.
71 për qind e të intervistuarve janë pro variantit 47 (ai i miratuar në Kuvend, shih hartën e rrethit të Durrësit me dy superbashki), ku Durrësi dhe Sukthi janë bashki me 3 komuna të tjera në këtë njësi.
/përgatiti th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





