“Gaforrja dhe peshku po dalin të ngordhur. Deti Adriatik është ndotur masivisht dhe peshku po largohet gjithmonë e më shumë drejt thellësive.” Ky është shqetësimi që ngrenë peshkatarët e Durrësit, pas gjuetisë në det. Peshkatët thonë se mbetjet urbane dhe të fabrikave që përfundojnë në kanale e shkarkohen në det, nëpërmjet grykëderdhjeve të lumenjve, kanë sjellë dëm të pariparueshëm në ekosistemin detar. Jo vetëm që peshku është larguar por, edhe kur ka, është i ngordhur për shkak të ndotjes së madhe që përfundon në det.
Aleksandër Xhuka ka 25 vjet peshkatar dhe është pronar i një barke të vogël. “Nëse do t’i bëhen analizat ujit të detit, çfarë nuk mund të rezultojë. Ka pesë vjet që keq e më keq po bëhet, sepse të gjitha papastërtitë po përfundojnë në det dhe askush nuk po merr ansjë masë. Dikur mbaja një punëtor, tani nuk bëhet fjalë, sepse në trata nuk bie më peshk, por gaforre të ngordhura,” – thotë ai.