Ansambli i instrumenteve të frymës “Albanian Brass” krijoi mbrëmjen e kaluar në Muzeun Arkeologjik të Durrësit një atmosferë të veçantë artistike. I ftuar në edicionin e 12-të të Festivalit ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës grupi që drejtohet nga dirigjenti dhe trompisti Isak Shehu, solli fillimisht pjesë nga krijimtaria e kompozitorëve shqiptarë Kujtim Laro (1947-2004) e Limoz Dizdari, e më pas nga ai Italian Nino Rota (1911-1979).
Ansambli “Albanian Brass” është krijuar dy vjet më parë dhe ka në përbërje solistë dhe anëtarë të orkestrave të RTSH-së dhe të TOB-it.
Spektatorët e shumtë që mbushën sallën e eksponateve të muzeut ndoqën më pas një pjesë tradicionale amerikane dhe “Jericon” e Jonathan Harvey (1939-2012). Në pjesën e dytë grupi me 9 komponentë interpretoi tre këngë popullore shkodrane dhe vepra nga autorët shqiptarë Simon Gjoni (1925-1991) e Ramadan Sokoli (1920-2008).
Në kuadër të 90-vjetorit të lindjes së kompozitorit Çesk Zadeja (1927-1997) artistët kryeqytetas kishin zgjedhur nga veprat e autorit “Humoreska” dhe tema nga filmi “Skenderbeu”.
Edicioni XII i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, (Chamber Fest Durrës), që organizohet nga violinistja e njohur durrsake Nevila Kalaja, ka nisur më 29 qershor dhe do të përfundojë më 14 korrik, pas 7 koncerteve të programuara.
G.K.