DURRËS, 25 tetor 2013 – Korrierët e drogës nuk vënë mend, teksa përpiqen t’ua hedhin forcave ligjzbatuese të “DEA”-s shqiptare. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njofton se më 24 tetor 2013, ora 21.45, u arrestua në flagrancë F. V., 48 vjeç, nga Fushë-Kruja. Në orën 18.45, në Pikën e Kalimit Kufitar të portit, gjatë kontrollit që shërbimet e përbashkëta antidrogë ushtruan në veturën e tij Skoda, me targa TR 8412 R, në dyshemenë e tij gjetën dhe bllokuan 30 kg kanabis. Lënda narkotike ishte të shpërndarë në 58 pako të mbështjella me letër alumini dhe celefoni. Ky mjet do të imbarkohej në tragetin Claudia, të linjës Durrës-Ancona, për të udhëtuar drejt Italisë. Policia mendon se ka persona të tjerë të përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike; prandaj po punohet për identifikimin e tyre, por edhe për origjinën dhe destinacionin e lëndës narkotike. Zona malore e Krujës është kthyer në një “Lazaret” të dytë, ku uniformat blu kanë zbuluar dhe asgjësuar parcela të tëra me kanabis.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





