Ceremonia e hedhjes së kryqit në kalatën e portit të Durrësit në kuadër të ditës së Ujit të Bekuar është anuluar për shkak të motit të keq që ka përfshirë qytetin bregdetar, që në orët e para të mëngjesit.
Ceremonia ishte parashikuar për t’u mbajtur në orën 10.30, por për shkak të situatës së rënduar metereologjike si pasojë e reshjeve dhe përmbytjes së qytetit, autoritetet kishtare vendosën ta anulonin.

Besimtarët e krishterë kremtojnë sot Pagëzimin e Zotit Jezus Krisht dhe me këtë rast Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Joan drejtoi Liturgjinë Hyjnore në Kishën “Apostull Pavli dhe Shën Asti” të Durrësit.
Mëngjesin e sotëm në kishë kishte më pak besimtarë sesa zakonisht, për shkak të paralizimit të lëvizjes në qytet dhe reshjeve të dendura të shiut.





