· Shkualifikohen të 11 pjesëmarrësit në prokurimin për rikonstruksionin e sallës dhe arkivit të regjistrimit të mjeteve, kapanonit të tahografit, rrjetit informatik dhe sistemimit të sheshit në drejtorinë rajonale
9 shtator 2015 – Fat i keq për drejtorinë rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Durrës (mbulon Durrësin, Shijakun, Kavajën dhe Krujën) për rikonstruksion dhe sistemim, pasi në tenderin “e majmë” prej 360 mijë eurosh u shkualifikuan të 11 pjesëmarrësit.
Portali “DurrësLajm” mësoi se Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka anuluar tenderin e 3 korrikut 2015 për rikonstruksionin e sallës dhe arkivit të regjistrimit të mjeteve, kapanonit të tahografit, rrjetit informatik dhe sistemimit të sheshit në drejtorinë rajonale Durrës, me një fond limit 50 milionë lekë (rreth 360 mijë euro) nga të ardhurat e brendshme të institucionit. Tirana thotë se anulimi i tenderit u bë për shkak se nuk u kualifikua asnjë ofertë. Në fakt morën pjesë 11 operatorë, nga të cilët 3 nuk paraqitën oferta, kurse 8 të tjerët u shkualifikuan.
Një nga konkurruesit e shkualifikuar u ankua në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP), ku kërkoi shfuqizimin e vendimit të komisionit të vlerësimit të ofertave (KVO) në rastin e operatorit ekonomik “Kevin Konstruksion ” shpk. Në mbledhjen e 27 gushtit 2015 KPP-ja hodhi poshtë pretendimet e firmës së ndërtimit dhe e konsideroi të drejtë vendimin e KVO-së.
/th. m. DurresLajm/