Deri para pak kohësh ishte pronë e sekuestruar e një zyrtari të lartë shtetëror, tashmë është kthyer në një qendër për sipërmarrjen sociale.

Një apartament mbi 60 metra katrorë, me një pamje të mrekullueshme nga plazhi i Durrësit është selia e re e qendrës “Art & Aktizivëm”, ku artistët e rinj kanë në dispozicion një hapësirë dinamike për të zhvilluar krijimtarinë artistike dhe jo vetëm.

Qëllimi i qendrës është që nëpërmjet artit të sjellë ndryshime pozitive në komunitetin tonë duke sjellë kështu një vlerë të shtuar ekonomike dhe sociale për artistët e rinj, por edhe për komunitetin. Shpresojmë që përgjatë këtyre 5 viteve që qendra “Durrësi aktiv” e ka në menaxhim këtë pronë do të bëjmë sa më shumë gjëra të bukura për qytetin dhe të rinjtë”,- thotë specialistja e komunikimit të qendrës Livia Kreko për “DurrësLajm”.

Piktura, skulptura, penela, bojëra vaji, punime artizanale gjen ngado në ambientet e qendrës. E hapur nga 09.00-17.00, qendra synon t’i ofrojë shërbim jo vetëm të rinjve dhe qytetarëve durrsakë, por edhe shtetasve të huaj dhe organizatave jo qeveritare.

“Kemi mirëpritur dhe shumë të huaj, siç janë expatats-at (të huajt që jetojnë e punojnë këtu) në qytetin e Durrësit që duan ta përdorin këtë hapësirë edhe për të punuar. E ofrojmë ambientin edhe për OJQ-të, bizneset apo institucionet që duan të zhvillojnë një takim, të organizojnë një trajnim, duan të bëjnë një sesion informues me qytetarë etj”,- thotë Kreko.

Pak ditë më parë, në përurimin e qendrës “Art & Aktivizëm” ishte i pranishëm edhe ministri i brendshëm Taulant Balla, i shoqëruar nga kreu i Agjencisë së Pronave të Sekuestruara dhe ambasadori i Bashkimit Evropian Silvio Gonzato.

M.B.