DURRES, 05 mars 2013– Gjykata e Apelit në Durrës i ka dhënë pafajësinë ish drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Pajtim Murrja, i cili akuzohej për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre.

Murrja ishte shpallur fajtor nga gjykata e Elbasanit dhe ishte dënuar me 3 vite burg dhe 700 mijë lekë gjobë. Së bashku me ish drejtorin e burgut të Rrogozhinës, pafajësinë e kanë fituar edhe specialisti i edukimit të burgut Denis Tosku, sekseri Naim Maci e Ismail Cunami. I vetmi që ka mbetur pas hekurave nga 5 personat që akuzoheshin për veprat penale të përmendura më sipër është sekseri Fatos Gosa, i cili u dënua me 2 vite burg. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Besim Preshnjeva në përfundim të gjykimit ka dhënë vendimin, pushim të çështjes gjyqësore, pasi sipas tij nuk u provua fajësia ndaj të pandehurve.

Ndërkohë prokurori i çështjes, Ludovig Doda, në pretencën e tij pati kërkuar që të pandehurit të dënoheshin me të njëjtën masë dënimi që kishte dhënë më parë gjykata e shkallës së parë Elbasan.  

Për akuzën e parë “korrupsion pasiv” prokuroria e Elbasanit kishte provuar dy raste, ndërsa një rast tjetër ishte për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë avokati mbrojtës i ish drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Ilia Ilia, deklaroi se nuk ekzistonin provat ndaj klientit të tij e për këtë shkak ai duhet të shpallej i pafajshëm.

Në gjykatën e Apelit kanë qenë të pranishëm të gjithë të pandehurit. Pajtim Murrja, u arrestua në korrik të 2010 nga njësia Antikorrupsion në Prokurorinë e Durrësit, bashkë me katër persona të tjerë. Arrestimi i Murjas dhe i shtetasve të tjerë u bë, pasi Prokuroria e Durrësit kishte siguruar prova bindëse, ku Murrja shfaqej duke u kërkuar nga 500 euro shtetasve që vuanin dënimin në Burgun e Rrogozhinës, në këmbim të dhënies së lejeve pesëditore.   

Në atë kohë prokuroria deklaroi se hetimet për këtë çështje kishin nisur që në muajin mars të 2010-ës, nga Task Forca në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, ku pas përgjimeve dhe vëzhgimeve ambientale është arritur të provohet korrupsioni dhe abuzimi me detyrën i këtyre zyrtarëve. Tre zyrtarët e lartë mendohet se kanë bashkëpunuar edhe me shtetasin Fatos Gosa, ndërmjetës i jashtëm, që luante rolin e "sekserit", duke favorizuar të dënuarit në dhënien e lejeve shpërblyese dhe atyre të veçanta në kundeshtim me ligjin, kundrejt rryshfetit.

Shtetasi Fatos Gosa, pronar i një lokali në Peqin, arrinte të krijonte lidhjet në këtë ambient, mes të afërmve të burgosurve me zyrtarët (edukatorët) dhe drejtuesin e Burgut te Rrogozhines për përfitime lejesh me kusht. 

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/