Durrës, 18 mars 2014– Gjykata e Apelit Durrës ka lënë në arrest shtëpie, pedagogen Odeta Tota, 40 vjeç, e arrestuar pak javë më parë së bashku me kolegun e saj Endri Sina dhe 2 studente me akuzën e korrupsionit dhe ushtrimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Në seancën e sotme gjyqësore prokurori deklaroi se është vërtetuar në më shumë se 10 raste përfshirja e pedagoges Odeta Tota në manipulimet që bëheshin për të nxjerrë kalues studentë të ndryshëm të degës së infermierisë, kundrejt pagesës. Por ndryshe nga çfarë u vendos për kolegun e Totës pak ditë më parë, kësaj të fundit ju lehtësua nga gjykata masa e arrestit, nga arrest me burg në arrest shtëpie.
Në procesin gjyqësor të zhvilluar në datë 12 mars, Gjykata e Apelit Durrës la në burg pedagogun Endri Sinën, 32 vjeç, ndërkohë që dy studentet Eralda lika dhe Merushe Beceri u liruan. Për dy studentet e universitetit “Aleksandër Moisiu” Apeli vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Arrestimi i dy pedagogëve dhe dy studenteve u bë në fund të muajit shkurt në kuadër të operacionit “Master”. Pas një hetimi dymujor, Prokuroria ka ngritur akuzat për veprat penale “Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudha të ndryshme 4 të arrestuarit kanë favorizuar studentë të fakultetit të infermierisë në provimet e detyrueshme, kundrejt përfitimeve të paligjshme.
Gjatë hetimeve u arrit të provohet se për çdo provim pedagogët përfitonin si rryshfet nga çdo student shuma parash që shkonin deri në 15.000 lekë të reja. Provimet e dhëna më pas nga studentët e Infermierisë korrigjoheshin nga vetë studentet e akuzuara dhe vlerësimi bëhej në vartësi të shumës së dhënë rryshfet nga studenti.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





