DURRES, 10 prill 2013– Gjykata e Apelit Durrës ka shtyrë sërish vendimin ndaj Ilir Xhakjas, i cili akuzohet për vrasjen e Qerim Malokut në vitin 1998. Në mungesë të të pandehurit Ilir Xhakja dhënia e vendimit është shtyrë nga relatori i çështjes Petraq Dhimitri, pasi njëri nga tre gjyqtarët e përcaktuar për çështjen dhe pikërisht Agim Ferizaj, ka munguar për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, duke paraqitur raport.

Në këtë seancë pritej të dëgjoheshin tre ekspertët e ngarkuar nga gjykata për të kryer akt-ekspertizën e armës që dyshohet se është përdorur për ekzekutimin e Qerim Malokut.
Akt-ekspertimi i armës llojit automatik, si e vetmja provë që do të implikojë Ilir Xhakjan në vrasje, u kërkua të bëhej nga avokati mbrojtës i të pandehurit, Ilia Ilia, seancën e kaluar.

Akt ekspertimi i vrasjes së Qerim Malokut

Më datë 26.07.1998, rreth orës 23:00, në vendin e quajtur Katund Sukth, është vrarë me armë zjarri shtetasi Qerim Maloku banor i fshatit Sukth. Para se të vritej, viktima Qerim Maloku kishte dalë nga banesa e tij për të shkuar te lokali i nipit të tij dhe kishte pirë diçka aty. Më pas ishte nisur për te një bilardo që ndodhej pranë banesës së tij. Gjatë rrugës për te bilardo viktima është goditur me breshëri automatiku nga persona të paidentifikuar. Me dëgjimin e krismave, menjëherë ishin afruar nipi i tij, Agron Maloku, dhe persona të tjerë e më pas kishte shkuar dhe djali i tij, Ylli Maloku. Pas disa kohësh janë sekuestruar disa armë në një bunker dhe nga ekspertimi ka rezultuar se disa gjurmë i përkisnin pikërisht Ilir Xhakjes. “Akti Nr.644 datë 19.03.2002 ‘ekspertim daktiloskopik’ bërë nga ekspertët Ardian Shehu e Orest Afezolli, ka nxjerrë konkluzionin se; ‘gjurma e gishtit objekt ekspertimi e shënuar me shkronjën ‘A’ e fiksuar mbi sipërfaqen e një fisheku, e bllokuar si provë materiale në Kodrën e Vreshtit Jubë Durrës, më datën 18.03.2002, është formuar nga gishti i madh i dorës së djathtë të shtetasit Ilir Azem Xhakja”, thuhej në një akt-ekspertizë. Çështja u hetua fillimisht në Durrës dhe më pas nga Krimet e Rënda. Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda e dënoi me 21 vite burg, Apeli e la në fuqi, ndërsa Gjykata e Lartë e riktheu për rigjykim.

 

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/