Durrës, 28 qershor 2014 – Mbrëmjen e së premtes, policia e Durrësit ka bërë të mundur prangosjen e 27 vjeçarit Marian Çela, i cili, së bashku me dy 18 vjeçarë të shpallur në kërkim, rezultojnë të jenë autorët e vjedhjes së një shtëpie në Spitallë si dhe të vjedhjeve të tjera të regjistruara në qytetin bregdetar.

Burime policore bëjnë të ditur për “Dyrrah” se ky grup hajdutësh kanë vjedhur në orët e para të mëngjesit të datës 27 qershor, shtëpinë e shtetasit A.Z., në Spitallë.

Fakti se të tre hajdutët ishin nga Spitalla, i ka dhënë mundësi atyre të zbulonin se fqinji i tyre nuk do të ishte në banesë në datë 26-27 qershor dhe për këtë kanë organizuar menjëherë vjedhjen.

Krahas Marian Çelës, të arrestuar tashmë, policia e Durrësit ka shpallur në kërkim dy 18 vjeçarët Gentian Xhakeri dhe Ardit Nikolli, të dy banorë të Spitallës.  

Tre hajdutët kanë mundur të marrin nga shtëpia e 50 vjeçarit A.Z. të gjithë garderobën, një set të plotë të veglave të punës si dhe një televizor 42 polësh. Sendet e vjedhura u gjetën dhe u sekuestruan në banesen e shtetasit të arrestuar Marian Çela.

Por krahas sendeve të vjedhura, policia gjeti në banesën e hajdutit 950 copë fishekë nga të cilët 850 fishekë pistolete dhe rreth 100 copë fishekë automatiku. Përveç akuzës për “Vjedhje në bashkëpunim”, Çela do të akuzohet tashmë edhe për “armëmbajtje pa leje”.

Policia e Durrësit është duke vijuar punën për dokumentimin edhe të vjedhjeve të tjera të realizuara nga ky grup personash.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/