Durrës, 5 maj 2014 – Goditja e një të moshuareje 74 vjeçare i ka kushtuar shtrenjtë 38 vjeçarit Dëfrim Xhelali, nga Durrësi. Mësohet se 38 vjeçari është konfliktuar me të moshuarën D.B. për motive të dobëta, paraditen e së shtunës. Pas debatit verbal, Xhelali ka nisur ta godasë gruan e moshuar, së cilës i ka shkaktuar dëmtime në trup. E moshuara është dërguar për mjekim në spital, ku fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. 38 vjeçari është shpallur në kërkim dhe vetëm disa orë më vonë është bërë e mundur prangosja e tij. Tashmë ai duhet të përgjigjet para gjykatës për akuzën “Plagosje e rëndë me dashje”.
Ndërkohë gjatë të dielës, efektivët e rendit të Durrësit kanë vënë në pranga dy të rinj, të akuzuar për “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta” dhe “Drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa dëshmi”.
Nën akuzën “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta” është arrestuar 18 vjeçari nga Shijaku, Maringlen Keçi, të cilit i është gjetur një thikë që e mbante me vete. Ndërsa 36 vjeçari, Dritan Kodra, banues në Marikaj, Tiranë, është ndaluar sepse më datë 03.05.2014, rreth orës 22.30, është kapur nga shërbimet e Policisë Shijak duke drejtuar automjetin Benz me targa AA 981 GO, pa qenë i pajisur me leje drejtimi dhe në gjendje të dehur.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





