DURRËS, 7 mars 2015 – Dy arrestime të bujshme në Durrës, teksa u vihen prangat dy prej ish-krerëve të drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të Autoritetit Portual Durrës (APD), Eduard Ndreu dhe Mehmet Borshi, kështu organi i akuzës ka “dëgjuar” Kontrollin e Lartë të Shtetit për shpërdorimet në dy prokurime publike.
Të shtunën, më 7 mars 2015, në mbrëmje, drejtoria e përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi se, me kërkesë të prokurorisë së Durrësit, gjykata ka vendosur masën e sigurisë së arrestit me burg për Eduard Ndreun, ish-drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës dhe për Mehmet Borshin, ish-drejtor inxhinierik në APD.
Sipas bluve, të dy ish-krerët e APD-së dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tenderë, me një dëm ekonomik që llogaritet në vlerën e 230 milionë lekë”. Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, pas hetimit të zhvilluar nga prokuroria e Durrësit, në bazë të kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nisur nga hetimet e deritanishme, prokuroria ka ngritur dyshime për të paktën dy procedura tenderuese. Bëhet fjalë për tenderët e kryerjes së remontit të përgjithshëm të dy elektrovinçave 16-27.5 tonë” dhe të blerjes së pjesëve të këmbimit elektrike, elektronike për elektrovinça 16-27 tonë. Policia thotë se ndërkohë prokuroria po vijon hetimet edhe për disa procedura të tjera prokurimi publik nga ky institucion”.
Sfondi
Më 14 qershor 2014, “Dyrrah”-u botoi (me ndonjë shkurtim të parëndësishëm) një fragment nga auditimi i kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në Autoritetin Portual Durrës (APD), ku mes të tjerave janë analizuar dhe dy tenderë: kryerja e remontit të përgjithshëm të dy elektrovinçave 16-27,5 tonë dhe blerje pjesë këmbimi elektrike, elektronike për elektrovinça 16-27 tonë”, ku “kualifikimi, shpallja fitues e bashkimit të operatorëve nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, si dhe lidhja e kontratës janë kryer në mënyrë të padrejtë”.
Bie në sy fakti që drejtoria e përgjithshme ekzekutive e shoqërisë publike / shtetërore APD sha i ka bërë “sevap” koncesionarit privat gjerman të Terminalit Lindor me paratë e buxhetit të shtetit shqiptar.
Fjala është për transferimin e dy elektrovinçave 16-27.5 tonë, sipas marrëveshjes së transferimit të mjeteve të terminalit lindor me nr. prot. 1833, datë 15.7.2013, që është bërë me një diferencë nga shpenzimet e kryera për remontin e tyre në vlerën 22 800 000 lekë (164 mijë euro, kursi 1 euro me139 lekë).
Ekskluzive
NGA “RAPORT PËR AUDITIMIN E USHTRUAR AUTORITETIN PORTUAL DURRËS, TIRANË, MAJ 2014”
Në tenderët e zhvilluar me objekt “Kryerja e remontit të përgjithshëm të dy elektrovinçave 16-27,5 tonë” dhe “Blerje pjesë këmbimi elektrike, elektronike për elektrovinça 16-27 tonë”, kualifikimi, shpallja fitues e bashkimit të operatorëve “3A-Profile, Borjan 3 dhe Atlantik” nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, si dhe lidhja e kontratës është kryer në mënyrë të padrejtë…
Për llogaritjen e vlerës së prokurimit nuk është hartuar projekti teknik i zbatimit, edhe pse është planifikuar në plan-biznesin e vitit 2011 në vlerën 4 200 000 lekë, mungesa e një projekti të tillë ka sjellë si pasojë anomali për remontin e dy vinçave 16-27 tonë, duke amenduar kontratën, veprime të cilat jo vetëm kanë shkelur barazinë në tender, por kanë krijuar një efekt financiar për llogari të APD-së në vlerën 57 583 250 lekë.
Nuk janë zbatuar termat e referencës nga bashkimi i operatorëve “3A-Profile, Borjan 3 dhe Atlantik” për të përgatitur një plan të detajuar të remontit, para se të fillonte remonti i vinçave, i cili duhej të miratohej nga departamenti teknik i Autoritetit Portual Durrës.
Zbatimi i kontratës është kryer vetëm nga shoqëria “3A-Profile”, ashtu siç është nënshkruar në kontratën e bashkëpunimit, shoqëri e cila nuk ka kapacitetin profesional për ta kryer këtë shërbim…
janë kryer tre mendime të kontratës në kundërshtim me shtojcën nr. 2 të dokumenteve të tenderit, formularin e çmimit të ofertës, ofertën teknike, termat e referencës, projektin elektrik, si dhe me kontratën e prokurimit të lidhur më 14.7.2011, me nr. 1771 me objekt “Kryerja e riparimit të përgjithshëm të dy elektrovinçave 16-27,5 tonë”, mendime të cilat kanë shkelur barazinë në tender…
Mbikëqyrja është kryer nga inxhinieri mekanik Gëzim Shtini, i cili nuk ka kompetencën profesionale për punimet elektronike të kryera për remontin që zënë vlerën 29 524 800 lekë dhe për punimet elektrike të kryera për remontin që zënë vlerën 18 013 920 lekë, pra punimet në vlerën 47 538 720 lekë janë kryer pa mbikëqyrës të fushës përkatëse.
Transferimi i dy elektrovinçave 16-27.5 tonë tek EMS Albanian Port Operator (EMS APO), përfaqësuar nga Manfred Muller, sipas marrëveshjes së transferimit të mjeteve të terminalit lindor me nr. prot. 1833, datë 15.7.2013, është bërë me një diferencë nga shpenzimet e kryera për remontin e tyre në vlerën 22 800 000 lekë. Kjo vlerë ka të bëjë me ngarkimin, shkarkimin dhe transportimin e pjesëve të elektrovinçave, e cila nuk është bërë pjesë e kostos së remontit të vinçave, veprim në kundërshtim me Ligjin nr. 9228, datë 19.4.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”, SKK dhe udhëzimin e Ministrisë së Financave nr. 30, datë 27.12.2011 “Për menaxhimin dhe kontrollin financiar”, vlerë e cila përbën dëm ekonomik për buxhetin e shtetit. [shih poshtë faksimilen e raportit të Kontrollit të Shtetit dhe më hollësisht linkun:http://www.durreslajm.com/investigim/klsh-gjob%C3%AB-164-mij%C3%AB-euro-p%C3%ABr-4-ish-drejtues-t%C3%AB-portit].
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





