Durrës, 18 qershor 2014 – Manisë së hajdutëve për të vjedhur çdo gjë që mund të sigurojë sadopak të ardhura, pa menduar aspak për dëmin që shkaktohet, nuk i kanë shpëtuar as kontejnerët plastikë të mbeturinave.

Një natë më parë, shërbimet e policisë së Durrësit kanë arrestuar në flagrancë dy shtetas: Naim Rryta, 39 vjeç, banues në fshatin Manëz Shijak dhe Përparim Hysa, 40 vjeç, banues në Durrës.

Të dy këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, kishin vjedhur 4 kazanë plastikë plehrash tek Gjiri i Lalëzit. Në cilësinë e provës materiale, krahas kontejnerëve, dy hajdutëve iu bllokua edhe kamioçina me targa DR7034E, pa dokumentacion, me të cilën po kryhej transporti i objekteve të vjedhura.

Dy të ndaluarit akuzohen për “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/