Durrës, 6 maj 2014 – Në orët e vona të mbrëmjes së të hënës, policia e Durrësit ka arrestuar dy të rinj të akuzuar për veprën penale “Prodhim, shitje narkotikësh”.

Sipas burimeve policore, në pranga kanë përfunduar dy 21 vjeçarët, Rivelino Hushi dhe Jonuz Dauti, të dy nga Durrësi.

Dy të rinjtë janë ndaluar nga postblloku i policisë për një kontroll rutinë, në afërsi të Mauzoleumit të Dëshmorëve, rreth orës 19.00 të së hënës.

Efektivët e rendit kanë vënë re, se gjatë momentit kur të rinjtë kanë dalë nga makina, tip Alfa Romeo me targa AA081HU, kanë hedhur në tokë një qese të ambalazhuar, me qëllim që sasia e drogës të mos u kapej nga policia.

Kur efektivët e rendit kanë kontrolluar pakon, kanë vënë re se në të ndodhej një sasi prej 5 gram kanabis sativa.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që dy të rinjve iu vunë prangat në flagrancë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/