Durrës, 22 mars 2014 – Policia e Durrësit ka prangosur 24 vjeçarin Fatjon Nasufi, nga Durrësi, person me precedentë të mëparshëm penalë, i cili rezultonte të ishte shpallur në kërkim rreth një vit më parë.

Për 24 vjeçarin, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendim të datës 02.05.2013 ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale të “Vrasje në rrethana cilësuese mbetur në tentativë “dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”. Ngjarja për të cilën akuzohet Nasufi është regjistruar në datë 9 janar të vitit të kaluar. Një konflikt mes disa të rinjve në qytetin e Durrësit ka degjeneruar deri në përdorimin e armëve.

Policia në atë kohë bëri me dije se në konflikt u përfshinë katër persona dhe njëri prej tyre mbeti i plagosur. Ngjarja është regjistruar në orët e vona të mbrëmjes së datës 9 janar, ndërsa policia ka shpallur në kërkim Fatjon Nasufin, 24 vjeç, nga Durrësi, person me precedent të mëparshëm penal. 

Policia bëri të ditur se 24-vjeçari pas një konflikti për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me armë zjarri, duke qëlluar me breshëri automatiku ndaj 28-vjeçarit me iniciale S.B., i cili udhëtonte me mjetin e tij, së bashku me dy persona të tjerë. Për pasojë ka mbetur i plagosur në këmbë 25-vjeçari me iniciale R.M., i cili është dërguar në spital.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/