Me kallëpe eksplozivi, kapsolla detonatorë dhe fishekë luftarakë, një i ri nga Durrësi është arrestuar nga policia e Durrësit në flagrancë, pasi të gjitha këto mjete luftarake i mbante në çantën e tij.
Burimet policore njoftojnë se në pranga ra Alvaro Kola 29 vjeç, banues në Durrës, arrestimi i të cilit nuk ishte i rastësishëm. Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme e kapën në flagrancë të riun, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në çantën e tij, në lagjen Nr. 16, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provave materiale:
• 7 copë kallëpe të dyshuara si eksploziv me peshë rreth 1.414 kg;
• 9 copë kapsolla detonatorë elektrikë;
• 47 copë fishekë luftarakë model 56 të kalibrit 7.62 m/m.
Pas dy krimeve të rënda që tronditën qytetin e Durrësit dhe jo vetëm, vrasja e dy të rinjve, Ervin Kodrës dhe Endri Çaushajt më 20 dhjetor të vitit të kaluar, dhe rrëmbimit e ekzekutimit të Gazmend Çollakut më 6 janar, specialistët e Krimeve kanë nisur një aksion në qytet në kuadër të goditjes dhe parandalimit të akteve të rënda kriminale, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë së qytetarëve dhe mbajtjen nën kontroll të personave me rrezikshmëri shoqërore. Në sajë të këtij aksioni, u bë i mundur dhe arrestimi i Alvaro Kolës, i cili do të përballet me drejtësinë nën akuzën e “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit”.
S.L.





