Policia e Durrësit finalizoi operacionin “Rrjeti”, duke arrestuar në flagrancë shtetasin K. M., 31 vjeç, i cili dyshohet se gjatë dy muajve të fundit ka kryer 4 vjedhje në supermarkete të të njëjtit rrjet në qytet.
31-vjeçari u kap gjatë një tentative tjetër vjedhjeje dhe rezulton i dënuar më parë për të njëjtën vepër.
Njoftimi i policisë:
Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Rrjeti”, për zbardhjen e një sërë vjedhjesh të kryera në një rrjet supermarketesh, gjatë 2 muajve të fundit.
Vihet në pranga 31-vjeçari që kreu 4 vjedhje në këto subjekte.
Ai u kap duke vjedhur në një supermarket, pjesë e të njëjtit rrjet.
31-vjeçari, i dënuar më parë, për të njëjtin krim.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera pas kallëzimit të administratorit të një rrjeti supermarketesh në qytetin e Durrësit, se një shtetas, disa herë, kishte vjedhur produkte, në supermarketet e këtij rrjeti, duke u larguar me vrap, pa paguar, pas kalimit të produkteve, në kasa, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës finalizuan operacionin “Rrjeti”.
Në kuadër të operacionit, u identifikua, u kap gjatë tentativës për të vjedhur në supermarket, dhe u vu në pranga shtetasi K. M., 31 vjeç, banues në Durrës.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, gjatë periudhës 06.11.2025-31.12.2025, ka vjedhur 4 herë, produkte në supermarkete të të njëjtit rrjet, në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.





