Durrës, 18 qershor 2014 – Në orët e para të mëngjesit të sotëm, policia e Durrësit ka prangosur një 38 vjeçare nga Peja, Kosovë, me banim në Gjenevë të Zvicrës, që po tentonte të imbarkonte në një nga tragetet e linjës Durrës – Bari 27.4 kg kanabis sativa.
Sipas burimeve policore, mbrëmjen e së martës, rreth orës 22.30, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip BMV, me targa GE 766096, në pronësi të shtetases Lendita Tallamishi u gjet dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 27 kg e 490 gramë lëndë narkotike e llojit kannabis sativa, e fshehur në sediljen e pasme të automjetit.
Lënda narkotike ishte e paketuar në 51 pako. Pas gjetjes së lëndës narkotike, 38 vjeçarja kosovare, që jetonte prej vitesh në Zvicër u shoqërua për në komisariatin e policisë, ku dhe iu vunë prangat. 38 vjeçarja Tallamishi akuzohet për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





