Policia rrugore e Durrësit ka arrestuar në flagrancë shtetasin Astrit Koçi 45 vjeç, banues në qytetin bregdetar.
Rreth orës 17:30, të së premtes, në autostradën Tiranë–Durrës, ky shtetas, duke drejtuar mjetin tip Benz, ka goditur nga mbrapa mjetin fuoristadë tip Hyundai me drejtues shtetasin L.B. 28 vjeç, banues në Gjirokastër dhe më pas ka goditur mjetin tip Ford me drejtues shtetasin E.S. 30 vjeç, banues në Tiranë.
Për pasojë është aksidentuar pasagjeri në mjetin tip Hyundai, shtetasi Sh.B. 32 vjeç, banues në Gjirokastër dhe drejtuesi i mjetit tip Ford, të cilët pasi kanë marrë mjekim në spital janë larguar për në banesë.
Gjatë testit të alkoolit rezultoi se shtetasi Astrit Koçi ishte në gjendje të dehur në masën 0.96 mg/litër.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale" Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe" Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt", parashikuar në nenet 290 dhe 291 të Kodit Penal.





