Durrës, 2 prill 2014 – Mbrëmjen e së martës, efektivët e policisë së komisariatit të Durrësit kanë arrestuar në flagrancë një 15 vjeçar, banor i zonës së plazhit. Mësohet se i riu K.D. ishte autor i vjedhjes së një banese, po në zonën e plazhit gjatë natës së të hënës. Ka qenë pronarja e shtëpisë, shtetasja 25 vjeçare E.G., që ka denoncuar në polici vjedhjen e shtëpisë së saj nga persona të panjohur. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore policia arriti në përfundimin se ishte 15 vjeçari K.D., autor i grabitjes së 600 dollarëve, 500 eurove, 10 mijë lekëve, 4 orërave të dorës dhe bizhuterive të florinjta. Madje, në momentin e arrestimit, atij i janë gjetur disa nga objektet dhe valutat e vjedhura. Mësohet se adoleshenti, duke shfrytëzuar orët e natës ka thyer dritaren në shtëpinë e 25 vjeçares dhe pasi është futur brenda ka marrë një sasi të konsiderueshme valute të huaj dhe lekë shqiptarë si dhe objekte me vlerë. Adoleshenti K.D. akuzohet për veprën penale të vjedhjes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





