DURRËS, 16 dhjetor 2014 – Po shndërrohen në dukuri të rëndë sociale sherret mes të rinjve dhe adoleshentëve; ato përfundojnë dhunshëm, për fat, me lëndime pa rrezik jete, sikurse ndodhi në të martën “terse”, por agresori u kap nga organet e rendit brenda 7 orëve.
Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës-Krujë bën të ditur se, të martën, më 16 dhjetor 2014, rreth orës 10.35, në lagjen nr. 18 Durrës, në afërsi të shkollës së mesme “Naim Frashëri”, është plagosur me thikë 15-vjeçari M. B., lindur në Korçë e banues në Durrës, gjimnazist i kësaj shkolle, i cili ndodhet në spitalin rajonal jashtë rrezikut për jetën.
Me marrjen e njoftimit, menjëherë, blutë e drejtorisë, në bashkëpunim me ato të komisariatit të Durrësit, arrestuan, në orën 16:00, M. Malçi-n, 18 vjeç, lindur në Laç e banues në Durrës, i shpallur në kërkim, po më 16 dhjetor 2014. 18-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua thika, me të cilën plagosi të miturin pas një grindjeje për motive të dobëta.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





