·        Përveç drogës, iu sekuestruan 790 000 lekë, një peshore elektrike, 4 celularë

DURRËS, 10 dhjetor 2014 –  Antidroga durrsake, pasi një hetimi të përbashkët me organin e akuzës shtetërore, kapi edhe një shtetas tjetër të dyshuar si narkotrafikant me një sasi të konsiderueshme heroine dhe materiale të tjera.

Drejtoria e policisë së shtetit të qarkut Durrës-Krujë njofton se të mërkurën, më 10 dhjetor 2014, ora 10.00, u arrestua në flagrancë 22-vjeçari Elio Çibuku, me banim në qytetin bregdetar.

Blutë thanë se agjentët e seksionit të narkotikëve në drejtori, në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit gjyqësor Durrës, zhvilluan operacionin e koduar “Blic”. Të pajisur me mandat kontrolli, forcat ligj-zbatuese bastisën banesën e 22-vjeçarit, ku iu gjetën dhe sekuestruan 600 gramë heroinë, 790 000 lekë, një peshore elektrike si dhe 4 telefona celularë (në foto).

Organet e rendit thanë se po bëhen hetime intensive për zbulimin e njerëzve të tjerë, që mund të jenë implikuar në narkotrafik.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/