DURRES, 27 prill 2013 – Arrestohet autori i një sërë grabitjesh të dhunshme, i cili rezultonte një nga personat më të kërkuar nga Drejtoria e Policisë së Durrësit.
Policia bën të ditur se ka prangosur 27 vjeçarin Arbër Doda, lindur në Pukë dhe banues në Durrës, për të cilin gjykata e qytetit bregdetar kishte caktuar më datë 18 mars 2013 masën e sigurisë “Arrest me burg” për vjedhje me armë.
Ngjarja për të cilën akuzohet Doda është regjistruar në muajin shkurt në Shën Vlash, ku viktima të grabitësit ishin një çift të rinjsh, të cilëve iu vodhën me dhunë sendet personale, bizhuteritë dhe një sasi parash.
Ndërkohë 27 vjeçari ishte dënuar në 18 janar 2008 nga gjykata e Tiranës me 4 vjet e 6 muaj burg për vjedhje me dhunë. Doda ishte shpallur në kërkim, pasi ekzistojnë dyshime të forta se ai ëhstë autor i disa vjedhjeve të tjera të dhunshme të realizuara në Durrës dhe Tiranë për të cilat po hetojnë Krimet e Rënda.
Kapja e tij u realizua ditën e sotme pas një operacioni të mirë koordinuar të forcave të rendit. Grabitësi fshihej prej disa kohësh në Tiranë, ku dhe kishte ndërruar gjeneralitetet me qëllim që të largohej nga vendi.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





