DURRES, 23 shkurt 2013 – Arrestohet 33 vjeçari nga Durrësi i akuzuar për vrasje të dyfishtë. Policia e Durrësit në një konferencë për shtyp njoftoi se në prangat e policisë ka përfunduar shtetasi Leonard Tragaj, i cili ishte shpallur në kërkim nga policia e Kavajës, pasi mbi të rëndojnë tre akuza: "vrasje në rrethana cilësuese, vrasje e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje".

Ngjarja për të cilën akuzohet Leonard Tragaj u regjistrua në 25 korrik të vitit të kaluar në Malin e Robit. Leonard Tragaj është vëllai i piktorit dhe shkrimtarit Ardian Tragaj, i cili një vit e gjysëm më parë ekzekutoi për një konflikt pronësie  Sulejman Shehun, 55 vjeç, ndërkohë që i vdekur nga plumbat e automatikut mbeti edhe roja Durim Pashalliu. Ndërkohë nënë e bir, Arjon e Beglije Shehu (djali dhe bashkëshortja e Sulejmanit), si edhe vetë autori i dyshuar për gjithë këtë masakër, piktori dhe shkrimtari Ardian Tragaj mbetën të plagosur.

Autori i vrasjes së dyfishtë, Ardian Tragaj u arrestua menjëherë pas ngjarjes nga policia, ndërkohë që vëllai i tij Leonardi, që ishte së bashku me të, në kohën kur ndodhi ngjarja e rëndë qe shpallur në kërkim. Policia e Durrësit arriti ta prangosë vetëm ditën e sotme për llogari të kolegëve të tyre të Kavajës. Ndërhyrja për kapjen e shtetasit në fjalë u krye mesditën e sotme në lagjen Nr.13 Plazh dhe u finalizua me kapjen e tij