Durrës, 18 maj 2014  – Arrestohet kapiteni ukrainas i anijes “Era-1”, e cila transportonte 48 ton cigare kontrabandë. Mësohet se urdhërarresti për kapitenin Volodomir Demakov është lëshuar mbrëmjen e së shtunës rreth orës 23:30, ndërsa 6 pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit do të hetohen në gjendje të lirë. 

48 ton cigare, me vlerë rreth 10 milionë dollarë u sekuestruan nga dogana e Durrësit.  Ngarkesa me cigare ishte nisur nga porti verior i Qipros dhe kishte destinacion Malin e Zi. Anija transportuese “Era 1”, me pronar ukrainas nga Krimeja dhe 6 anëtarë të ekuipazhit, po nga i njëjti vend u bllokua nga policia kufitare deri në përfundim të hetimeve të nisura nga autoritetet shqiptare. 

Pas sekuestrimit të ngarkesës ka reaguar edhe avokati i kontaktuar nga kompania pritëse e mallit, i cili deklaroi se malli është me dokumente të rregullta dhe dokumentet origjinale i ka agjenti doganor pritës i mallit. 

Anija tregtare me flamur të Tanzanisë u ndalua nga Anti-Kontrabanda në Portin e Vlorës mbrëmjen e së premtes. Anija ndodhej prej datës 14 në Portin e Vlorës, pasi kishte kërkuar ankorim për shkak të kushteve të këqija të motit. Por me përmirësimin e motit anija me flamurin e Tanzanisë ka tentuar të largohet nga porti i Vlorës pa iu nënshtruar lejes përkatëse, sipas procedurës për të lundruar në ujërat shqiptare. Në orët e mbrëmjes së të premtes anija u ankorua në Portin e Durrësit, ku iu nënshtrua kontrolleve të nevojshme. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/