DURRËS, 26 gusht 2013 – Nuk kanë të sosur aktet e dhunës në familje, saqë forcat e rendit detyrohen të arrestojnë në mesnatën e 26 gushtit 2013 një shtetas që kërcënonte me vdekje të shoqen. Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut të Durrësit njofton se më 26 gusht 2013, ora 1.30 pas mesit të natës, u arrestua në flagrancë R. K., 37 vjeç, nga fshati Arapaj Durrës, sepse gjatë konflikteve të vazhdueshme me bashkëshorten, dyshohet se ka kërcënuar me jetë. Ndërkaq më 24 gusht 2013 u plotësuan dy kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për një 33-vjeçare, nga fshatrat e Durrësit, pasi bashkëshorti i saj N. H., 44 vjeç, e dhunon sistematikisht. Kurse një vajzë e re 28 vjeçe, nga qyteti i Durrësit ka kërkuar mbrojtje nga dajaku i të atit B. K., 54 vjeç.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





