DURRËS, 17 shkurt 2015 –  E çuditshme që një 53-vjeçar me arsim të mesëm turqit e Albtelekomit e emërojnë shef të degës së Durrësit, dhe ende më befasues është fakti që ky vidhte korrent për llogari të kompanisë, duke pasur edhe debi të konsiderueshme në OSHEE!

Drejtoria e policisë së qarkut të Durrësit njofton se të martën, më 17 shkurt 2015, ora 1.00, pas mesit të natës, u arrestua 53-vjeçari Shpëtim Hamdi Çullhaj, banues në Shijak. Blutë thonë se i ndaluari, me arsim të mesëm, është përgjegjës i Albtelekom-it, dega e Durrësit. 

Fakti bëhet më intrigues teksa njoftohet se, nga kontrolli që kanë bërë punonjësit e drejtorisë rajonale të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) në lagjen nr. 10, është konstatuar se Çullhaj ka bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Dhe ku? Në pajisjet që përdoren nga Albtelekomi! Madje, kjo degë ka dhe shuma te konsiderueshme debie ndaj OSHEE-së. 

Hetimet e mëtejshme do të zbulojnë nëse këto vjedhje dhe borxhe dritash për llogari të Albtelekomit janë bërë “vullnetarisht” apo me dijeni të pronarëve turq, gjë që do të përbënte një skandal ndërkombëtar.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/