Policia e Durrësit ka bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim Bedri Haka 22 vjeç, banues në Krujë, i cili akuzohet për vrasjen e biznesmenit Leonard Murati, 51 vjeç, banues në Durrës.

Ngjarja ka ndodhur më 18 nëntor të 2014-s, në lokalin “Center” në pronësi të viktimës në qendër të qytetit të Durrësit, ku dyshohet se Haka e ka vrarë me armë zjarri. Autori i dyshuar i këtij krimi dyshohet se është vrasës me pagesë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me Vendimin Penal Nr.1014, datë 23.11.2014, ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Murati ka qenë person me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës.

Si ndodhi ekzekutimi në mes të Durrësit

Rreth orës 20:00 të 18 nëntorit 2014, një orë e gjysmë pas ekzekutimit të pronarit të bar “Center”-it, Leonard Murataj, drejtoria e policia së shtetit të qarkut nuk ishte ende në gjendje të jepte gjeneralitete për viktimën.

Moti i keq dhe me bubullima ka qenë tejet ideal për realizimin e një atentati të bujshëm ndaj një njeriu të njohur në qarqet e biznesit, drejtësisë dhe politikës.

Punimet që po kryhen në sheshin “Liria” të qytetit të Durrësit kanë penguar qarkullimin e automjeteve para barit “Center”, që ndodhet në anën lindore të sheshit, 50 metra larg ndërtesës së bashkisë.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, dy të rinj të veshur me rroba të zeza e dekoracione të bardha, kanë shkuar te bar “Center”.

Rreth orës 18:30 të datës 18 nëntor 2014, Leonard Murataj / Nard Murati u ka hapur derën e lokalit të tij dy të rinjve për t’i futur brenda.

Por nuk ka pasur kohë as t’i ftojë, pasi mbi të u zbrazën shumë plumba pistolete dhe Murati ka rënë në mes të derës, duke e bllokuar me kufomën e vet.

Dy të rinjtë janë larguar më këmbë drejt sheshit para pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” duke folur me zë të lartë: “E vramë, e vramë”.

Pastaj kanë ecur nëpër bulevardin kryesor, ku i ka pritur një automjet.