Durrës, 24 qershor 2014 – 2300 rrënjë kanabis janë asgjësuar gjatë një operacioni të policisë së Durrësit, të ndërmarrë ditën e sotme në Krujë dhe Ishëm.
Efektivë të policisë së komisararit të Shijakut dhe Krujës kanë krehur territorin dhe kanë evidentuar 19 parcela në të cilat kultivoheshin bimë narkotike të llojit kanabis sativa.
Sipas policisë, parcelat në fjalë janë konstatuar në toka pa pronar, mes zonave të shpyllëzuara. 13 parcela janë gjetur dhe asgjësuar në fshatin Verjon, Nikël Krujë, 3 në fshatin Zgërdhesh Krujë dhe 3 në fshatin Kuraten, Ishëm.
Në njoftimin për shtyp, policia bën të ditur se gjatë operacionit të ndërmarrë ditën e sotme është konstatuar nga efektivët e rendit se kultivuesit kishin futur në prodhim një lloj bime, cikli jetësor i së cilës nga mbjellja deri në korrje shkonte në 40 ditë. Bimët e konstatuara dhe të asgjësuara sot ishin drejt fazës së pjekjes dhe lartësia e tyre shkonte nga 30-40 cm.
Megjithëse ishin terrene të vështira, kultivuesit kishin krijuar të gjitha lehtësitë maksimale për rritjen e këtyre bimëve. Kështu në afërsi të parcelave janë gjetur gropa të hapura, që siguronin ujin e nevojshëm për ciklin e rritjes së bimëve.
Pas asgjësimit të këtyre bimëve, policia po punon për identifikimin e autorëve të kultivimit. Policia e Durrësit bën me dije se operacioni në fjalë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, deri në kontrollin e gjithë territorit të Qarkut.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





