Durrës, 8 maj 2014 – Makina e inxhinieres së ndërtimit Entela Çano, e cila u përfshi nga flakët mesditën e sotme në autostradën Durrës – Tiranë, në afërsi mbikalimit të Sukthit, duket se ka qenë objektiv i një atentati me eksploziv.

Fatmirësisht drejtuesja e mjetit zbriti në tokë, para se mjeti tip Mitsubishi, me targa AA106 EJ, të shpërthente dhe të përfshihej nga flakët. Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 13.30.

38 vjeçarja nga Tirana ka deklaruar para grupit hetimor se ka parë flakët dhe më pas ka dëgjuar zhurmën. Me të shpejtë ajo ka zbritur në tokë duke evituar kështu që të mbetej e lënduar nga shpërthimi, i cili ka dëmtuar veç automjetit edhe asfaltin e rrugës, duke krijuar një gropë në të.

Çano mësohet se është pronare e një studio projektuese në Tiranë. Ajo mësohet t’i ketë thënë hetuesve se nuk ka dijeni se kush mund t’i ketë vënë eksploziv në automjet, pasi nuk ka konflikte.

Në vendngjarje kanë qenë të pranishëm edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Në fillim u mendua se makina ishte përfshirë nga flakët për shkak të një difekti në motor, por më pas kjo pistë u hodh poshtë, pasi grupi hetimor gjeti gjurmë të lëndës plasëse të vendosura në automjet.

Paraprakisht po hetohet lidhur me konflikte që mund të ketë inxhinierja e ndërtimit Entela Çano apo burri i saj prokuror, që mund të kenë çuar në këtë atentat me eksploziv.

Si pasojë e situatës së krijuar dhe bllokimit të një ane të autostradës nga ana e policisë së qarkullimit, u krijuan rradhë të gjata në trafik, të cilat shkonin deri në një distancë prej 1 km.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/